Dimri “mbërthen” Europën, probleme të mëdha në trafik

 Dimri i ashpër që ka përfshirë Europën Perëndimore ka sjellë probleme në shumë vende. Mësohet se 5 trena Eurostar që vinin nga Brukseli dhe Parisi drejt Londrës mbetën të bllokuar për disa orë në tunelin e La Manshit për shkak të të ftohtit të madh dhe ngricave. Aktualisht një prej tyre vazhdon të jetë brenda në tunel. BBC raporton se forcat e ndihmës së shpejtë arritën që nxirrnin nga trenat rreth 2500 pasagjerë. Një zëdhënës i shoqërisë hekurudhore tha se ndryshimi i madh i temepraturës mes ajrit brenda dhe jashtë tunelit ka shkaktuar probleme teknike. Kompania ka anulluar të gjitha shërbimet, në një kohë që Anglinë lindore dhe pjesë të Skotlandës priten rreshje dëbore dhe temperatura nën zero gradë. Kjo situatë ka shkaktuar kaos në trafik dhe ndërprerje të energjisë. Autoritetet kanë vendosur mbylljen e shkollave. 

Por temperaturat e ulëta kanë goditur thuajse të gjithë Europën. Ngricat dhe rreshjet e borës kanë krijuar probleme në qarkullimin rrugor, në një kohë që disa kompani kanë anulluar fluturimet ajrore. Parisi përballet me një të ftohtë Siberian. E njejta situatë paraqitet edhe në Belgjikë, Zvicër, Rumani e Greqi. Në këtë të fundit si pasojë e motit të keq gjeti vdekjen edhe një inxhinier italian. Edhe pjesa veriperëndimore e SHBA është përfshirë nga një stuhi dëbore. Kryesisht në aeroportet e Nju Jorkur dhe Nju Xhersit kompanitë kanë anulluar fluturimet.