MYFARETE LAZE - Dashuria që deshën t’ia ndalonin

12/11/2003 00:02

Edhè hâna do t’ a dijë, /Edhè dielli do t’két pá, / Se për qark ksaj rrokullije, /Si Shqypnija ‘i vend nuk ká!/ ...Ishte jashtë programit që i patën dhënë në dorë Paskualina Grudëss, spikeres, siç i thonin asokohe, së recitalit të parë të Myfarete Lazes. Por këngëtarja nuk po dilte në skenë. Gongu ra për të tretën e herë e ajo s’po dilte... Ndaj aktorja, mori aty për aty, vendimin tu recitonte të pranishme që kishin tejmbushur sallën, Fishtën. Po pikërisht Fishtën...  Nën nji qiellë përherë t’kullueme,/ N’rreze e n’dritë përshkue unjí,/ Bjeshkë e male të blerueme/ Si vigâj shtiellen n’ajrí. Vazhdonte Fishta nën tingëllimin e zërit të aktores së re e të bukur, duke i dhënë kohë Myfarete Lazes. Por ajo, s’dilte. E qara, e mbledhur komb në grykë, e kish bllokuar në xhepin e skenës pa e lënë të bëjë një hap drejt dritës së projektorëve të fortë të skenës. Kushedi sa duhet të ketë zgjatur. Myfaretja nuk e kishte atij çasti nocionin e kohës. Mban mend veç që dy duar e shtynë, e ajo u përmend nën dritat që e verbuan dhe breshrin e duartrokitjeve që e kthyen në realitet. Paskësh qenë në një makth, por kaloi.
*  *  *
Edhe tani, tek e kujton, për të ma rrëfyer, fytyra i merr një shprehje serioze, krejt ndryshe nga dy çaste më parë, e qeshur dhe plot humor. Ishte recitali i saj i parë. Pat qenë e lumtur kur u zgjodh në atë grupim tepër të vogël këngëtarësh nga e gjithë Shqipëria, të cilët do të zhvillonin recitale në skena të ndryshme të vendit. E kishin zgjedhur dhe kjo nuk ishte pak. E ku ta dinte ajo, se pikërisht në natën e parë të recitalit, në Shkodër, ajo do të kish dashur, që vetëm aty të mos ishte. Po... Plot 24 orë, i kishte kaluar në spital, me vajzën e vogël, të cilës temperatura nuk i binte nën 40 gradë. Mjekët e mbanin me serume. E pikërisht në këtë situatë, të ëmës i duhej të ikte. Dhe për më tepër, të ngjitej në një skenë e të këndonte.
-Por... mund të anulohej koncerti...
Myfaretja më sheh me një vështrim qesëndisës. –Të anulohej?! As që mund të imagjinohej. Jo vetëm se ishte vonë, biletat ishin shitur të gjitha. Fundja ajo ishte puna ime, ishte profesioni im. Unë duhej t’i dilja zot, të tregohesha e përgjegjshme.
Ndaj rreth orës dy pas dreke, pat mbyllur pas vetes derën e dhomës së spitalit ku e bija bënte një gjumë të trazuar nga temperatura e lartë, dhe me ngashërimet që ia çonin kraharorin peshë, niset për në shtëpi. “Ji e qetë”, i pat thënë i shoqi. Por a mundej? As dushi i nxehtë s’e qetësoi, as atmosfera e parakoncertit në prapaskenë, nuk ia solli mendjen në vend. U vesh dhe e la pavetëdijshëm veten në duart e grimieres. Pastaj u gjend në xhepin e skenës. E pa sallën e tejmbushur, dëgjoi zërin e Paskualina Grudës e mandej gongun. Por nuk mundej të bënte përpara: “Vajzën e kam në serum, e unë këndoj...?!”. Veç kjo frazë ia kish bllokuar trurin. Kolegia aktore përpiqej t’i jepte kohë... Atje léjn, po Toskë e Gegë, /Si dý rreze n’flakë t’nji dielli: / Si dý rrfé, qi shkojn tue djegë, /Kúr shkrepë rêja nalt prej qielli. Ishin të gjata Vargjet e Fishtës, por nuk mund të vazhdonin pafundësisht. Papritmas dy duar e shtynë Myfareten drejt skenës. Më vonë, do të merrte vesh se kish pas qenë Bruno Shllaku. E dinte edhe ai se, këngëtarja me ta parë veten në skenë do të përmendej, do t’i shkonte pas muzikës. Dhe ashtu ndodhi. Vazhdoi përreth dy orë. “E kuptova, jo vetëm nga duartrokitjet e publikut, se koncerti shkoi mirë. Me të vërtetë, shumë mirë. Këndova si të isha më e lumtura. Transmetova vetëm emocione pozitive, askush në sallë s’mori vesh asgjë”.
Të nesërmen iu desh të përsëriste të njëjtën gjë. Rezultati, i njëjtë. “Natën e dytë isha më e qetë. Më e lodhur në të vërtetë, por më e qetë... edhe vajza ishte pak më mirë...”.
E kujt s’i ka ndodhur një histori e tillë, në mos identike, e ngjashme. Vetë Myfarete Laze është gjendur disa herë në situata të përafërta. Por... I kish hyrë një rruge e tash s’mund të ndalte në mes të saj. Fundja, a nuk ishte ajo, që vite më parë, pasi kish ëndërruar gjatë, kish zgjedhur të bëhej këngëtare? Po. E tani duhej të respektonte punën që s’kishte të bënte thjesht dhe vetëm me atë vetë. Sepse, nuk bëhej fjalë thjesht dhe vetëm për të nxjerrë prej vetes një pasion të madh, siç i ndodhte kur ishte e vogël, dhe s’bënte tjetër veçse këndonte, gjithë ditën e lume...

*  *  *
-Oooo, pusho, mjaft tani... jemi të lodhur, duhet të flemë... Kurse Myfaretja... a thua se s’e kishin pasur me të... E ndërpriste këngën veç për pak çaste, e pastaj harronte se ishte zheg e se prindërit donin të çlodheshin, dhe vazhdonte aty ku e pat lënë. Me zë të lartë sigurisht. Se nën zë, ç’kuptim do të kishte. Por s’ishte faji i saj. Si mund ta nënshtronte pasionin, aq i fortë sa ishte tek ajo? Ndaj këndonte pa pushuar. Kurse prindërit, filluan ta shndërronin bezdinë e tyre në vëmendje ndaj të bijës dhe e morën seriozisht këtë pasion të pafrenueshëm të saj. I ati vendosi ta çonte në shtëpinë e pionierit. “Ndoshta e bëri edhe thjesht për të më mbushur kohën”. Por ç’rëndësi kishte. Asaj i pëlqente kjo gjë dhe pikë. Mandej, shumë shpejt filloi të zbulonte shijen e vërtetë të përfshirjes së saj në një grupim këngëtarësh të vegjël. Profesorët e saj, s’mund t’i linte shpërfillës zëri i të voglës. E ngjitën në skena. E çuan në festivale, qysh herët. Ishte një rrjedhim logjik. Gjithçka shkonte për mrekulli. Më përjashtim... Ajo s’do ta harrojë se dikur s’e patën lënë ta këndonte këngën fituese. -Pse jo? Ishte e vogël për të kuptuar. Nuk e dinte fort mirë se ç’ishte ceni në biografi. E dinte që i ati prej vitesh nuk punonte, për një ndëshkim. Por jo më shumë. Prindërit i kishin mbajtur larg fëmijët nga e vërteta biografike e familjes. Aq më pak i kishin rrëfyer për pushkatimin pa gjyq të gjyshit, apo arsyet... E si mund t’i thuheshin një fëmije të tilla gjëra. Ndaj dhe Myfaretja nuk i dinte. Kësisoj s’kish si ta kuptonte pse nuk e lanë ta këndonte këngën fituese të festivalit. Ishte në klasë të tetë. Por nuk iu rënd edhe aq kjo ngjarje. Nuk e mundoi kushedi çë. I ati, se ç’justifikime i sajoi. E përgatiti paraprakisht. Dhe ajo e pranoi qetësisht refuzimin. Të vërtetën e mori vesh shumë vonë, por tani s’kishte më rëndësi. Ishte një e kaluar.

*  *  ****
Do të vazhdonte të përballej edhe me të tjera refuzime. Por me tu bërë pjesë e të shkuarës, do t’i fshinte si me gomë. I pëlqen më shumë të shohë përpara. Ama një peng e ka. Ka të bëjë me refuzimin e radhës. Pat menduar se e ardhmja e saj do të ishte kënga dhe asgjë tjetër. Ëndërronte të vazhdonte konservatorin, të bëhej këngëtare lirike. “Epo, talentin e kisha të lindur... zërin, dhuratë nga Zoti...”.  S’gjente arsye pse të mos e nanuriste ëndrrën për tu bërë soprano. Por... Jo. Deri këtu, s’duhej të pretendonte. S’lejohej. Ishte mbesa e një të pushkatuari. Dhe nuk e fitoi konkursin për në Institutin e Lartë të Arteve. Dhe i mbeti peng. “Po e kam me të vërtetë këtë peng”- më thotë, a thua se suksesi profesional ashtu do të kish pasur një vlerë tjetër...
...Gjithsesi suksesi nuk i qëndroi aspak larg. Përkundrazi. Anipse nuk iu hap dera, një shteg e gjeti. Apo ishte fati që e ndihmoi? Nëse ishte kështu, fati i saj,  kësaj here,  e kish emrin: “Shoqet tona ilegale”. Shumëkujt i kujtohet kjo këngë fituese e festivalit të këngës, që i dha çmimin asaj, Myfarete Lazes dhe Vaçe Zelës. Miklues vlerësimi, apo jo? Kishte goditur në shenjë, me të parën. Sepse ishte hera e parë që këndonte në festivalin e Këngës në RTSH.
Pas këtij çmimi, fitoi edhe të drejta të tjera. Në Shkodër, sigurisht, e pritën krahëhapur. Dhe, a thua se e kishim marrë lejen e munguar, i ofruan këngëtares gjërat që deri atëherë s’i kishte: punë, shkollë, një shtëpi...

*  *  *
...Ishte me fat edhe pse jetonte në Shkodër? Padyshim. Ajo është e bindur për këtë. Jo se ngjan pikë për pikë me shkodranët për humorin tipik dhe karakterin gazmor. Jo se humori e bën t’i shohë me pozitivizëm gjërat. Por për të tjera arsye... Tek biseda ka hyrë në argumentin e qytetit, Myfaretja nuk ka të mbaruar. Ishte qyteti që e mbajti, qyteti që e përkrahu, qyteti që u kujdes për të, qyteti që e ngriti në apogje.
-Por mund të kishte ndodhur edhe në një qytet tjetër. Apo jo?
-Jo, jo-më kundërshton e bindur.- Shkodra më zgjidhte si përfaqësuese, edhe pse s’isha me origjinë shkodrane, e në festivale, letrat anonime për mua mbërrinin nga Saranda...
-E çuditshme... –mendova aty për aty. Më erdhën në mendje të tjerë banorë të Shkodrës që më kishin folur krejt njëlloj me pasion për qytetin e tyre. Të gjithë që kanë jetuar atje, nuk ngurrojnë ta përmendin. – Qe fat,- pata dëgjuar edhe më parë, tek më kishin folur për lidhjen e tyre me Shkodrën. E mesa duket ka ndodhur me të gjithë njëlloj. Qyteti është sjellë njerëzishëm me njerëzit e vet. Njollat e biografisë s’i errësuan.
-Asnjë rëndësi kishte biografia,- më sqaron Myfaretja,- Në Shkodër ishin të gjithë më biografi të keqe... E di si thoshin Shkodranët: “të deklasuarit janë zotnitë... që s’i don Enveri”. Mua, çfarë mundej me mi dhanë, Shkodra, mi dha. Shkollën, shtëpinë, punën...”. Dhe vazhdon të përsërisë së ishte me fat që një ditë prej dite, familja e saj iku nga Saranda dhe u vendos në Shkodër.
Epo, nuk paskësh qenë e rastësishme që, për plot 25 vite do të mendohej pa mundur të dalë në konkluzionin për ta braktisur qytetin: “Të transferohemi në Tiranë?” Pyetja i mundonte të dy, Myfareten dhe të shoqin. Tirana ishte kryeqyteti. Ofronte më shumë mundësi. Por, nuk mundën ta lënë Shkodrën.
– E tani? -Ajo me familjen e saj prej pak vitesh jeton në Tiranë. Por jo se Shkodra nuk është po aq e dashur. Janë pikërisht nostalgjia dhe dashuria e kthejnë herë pas here këngëtaren atje, qoftë edhe për pak, sa për tu çmallur...

*  *  *
Por Shkodra i ka dhënë edhe diçka, fort të rëndësishme. Më të rëndësishmen? Ka të ngjarë. I ka dhënë njeriun e jetës, babain e dy vajzave të saj. Eee. S’kish qenë kaq e lehtë në të vërtetë për të dy që ta kurorëzonin lidhjen e tyre. Luftuan derisa ia dolën për tu lidhur me martesë. Për arsye biografie? Ky ishte  një problem. Ama njëri syresh, ka të ngjarë më i vogli...
Ja si është historia: Ajo, sapo kish mbaruar të mesmen dhe e caktojnë me punë në Velipojë, në vatrën e kulturës. “Aty e njoha Nelin”. U dashuruan me njëri- tjetrin, sepse kishin të përbashkëta. Dhe Myfaretja e ka fjalën për pasionin. Ajo e pasionuar fort pas këngës, e ai pas sportit. “S’ka rëndësi se cili është pasioni, për çfarë. Mjaft që të kesh një pasion të madh, dhe je në gjendje të kuptosh madhështinë e pasionit të tjetrit”. Ishin në qiellin e shtatë duke shijuar lidhjen e tyre, kur hasën në murin e refuzimit. I ati e pat paralajmëruar. Urtësia e tij, ishte e pacen. Por e reja sikur nuk donte ta pranonte. Hej dreq. Paskësh pasur jo pak “defekte”. Ajo, vajza me sy të zinj të theksuar, e bukur dhe gazmore, një këngëtare e njohur dhe e suksesshme. Epo... Pikërisht ky ishte problemi më i madh: suksesi i saj. Apo më saktë, të qenit këngëtare. E kush e donte një nuse djali këngëtare asokohe? Ja arsyeja e parë e mospranimit të vjehrrës. Një pengesë e lartë, me të vërtetë. A do ta kapërcenin? Pastaj, ishte edhe pa shkollë. Pa universitet me një fjalë. E si mund ta pranonte ajo grua e fortë dhe e rreptë, në shtëpinë e saj në të cilën të katër fëmijët e mbetur jetimë qysh herët, kishin sjellë nga një diplomë universiteti, një nuse me shkollë të mesme? Mandej, Zeneli ishte më i vogli ndër fëmijët. E të tjerët para tij, ende të pamartuar. Dhe prishja e radhës ishte e ndaluar. Ç’ti bësh, rregullat e kohës. Sa pengesa... A do ti kapërcenin? Mesa duket ajo besonte. U mbështet fort te i dashuri, i mjaftoi siguria e tij. “Ia lashë atij në dorë gjithçka”. Ishte e bindur te ndjenja e ndërsjellët. Dhe bëri mirë. Thjesht u desh pak kohë.

*  *  *
I durueshëm dhe fort i logjikshëm, babai nuk e cyti të bijën t’i ikte lidhjes dashurore me Zenel Veksharin. Deshi ta respektojë ndjenjën e vajzës dhe priti me durim, derisa më në fund dera e Veksharëve u hap për të. Një të diel të diellt, vajza e dashuruar, veshi fustanin e bardhë të nusërisë, vuri vellon sipas modës së kohës, dhe hyri më këmbën e djathtë në shtëpinë e të shoqit. Në veshë i jehonte porosia e të atit: “Hyr e qeshur”. Dhe meqë kishte shumë besim tek ai, iu bind. Tashmë, për nusen e re, refuzimi s’ishte veç një kujtim i të shkuarës. Vendin ia kish zënë pranimi. Dhe më te vërtetë. Me të thënë “po”-në e saj, vjehrra u bë një mbështetëse e fortë e nuses së djalit. Kurse nusja ishte mësuar sakaq që refuzimet, me ti kapërcyer, ti hidhte tej...

*  *  *
Tashmë, kur kthen kokën pas, i kujton vetëm për të përfituar prej tyre. Sa për mllefe, inate a hakmarrje... Jo, nuk kanë të bëjnë me natyrën e Myfarete Lazes. E fundja pse. A nuk u bë këngëtare e njohur. A nuk e shijoi suksesin, vlerësimet, çmimet? A nuk u martua me burrin që dashuroi? A nuk çoi një jetë të mrekullueshme me të? A nuk u bë nëna e dy vajzave me të cilat është pafundësisht e kënaqur? Përgjigjet e të gjitha pyetjeve janë pozitive. Pengesat s’i kanë prishur punë për rezultatin. Ndej ndihet mirë. Veç në mos... A do t’i kish pëlqyer të kishte një djalë? Ajo buzëqesh. “Në fakt Neli, kur lindi vajza jonë e parë, Resana, 25 vjet të shkuara, u mërzit pak. Ai desh djalë. Por kaloi shumë shpejt. Pastaj, kur u bëmë sërish me vajzë, menduam se më e mira ishte që i bëmë një motër të madhes”. Zilja e celularit që bie, i tërheq vëmendjen. Rreket të dallojë numrin në ekran, por pasi s’mundet, e hap telefonin pa e ditur se kush e thërret. Çfarë rastësie. Është njëra nga vajzat. Dialogu duket si vazhdimi i një bisede të nisur qysh në shtëpi... dhe do ta vazhdojnë me siguri kur të takohen sërish në shtëpi. Pastaj këngëtarja i rikthehet bisedës së ndërprerë. “Po të kish qenë një fëmijë i tretë, do të kish ndryshuar puna. Në fakt do ta kishim dashur, por e patëm të vështirë t’a merrnim vendimin”... Gjithsesi, qoftë për fëmijët, familjen, profesionin a gjithçka,  nga pozicioni i sotëm, beson se ka pasur jetë të mirë....

**  *  *
Kanë kaluar tri orë nga fillimi vonuar i bisedës. Dhe kam zbuluar një jetë interesante në fakt. Interesante për intensitetin e ngjarjeve dhe emocioneve. Tek e sheh duke buzëqeshur në çdo çast e duke bërë humor, të krijohet përshtypja se gjithçka në jetën e saj ka shkuar fjollë. Por jo, në të vërtetë. Pavarësisht çasteve të lumturisë ekstreme, oshilacionet shpesh paskëshin qenë të forta. E paskëshin çuar edhe në anën e kundërt. Ama Myfarete Laze, ka ditur të shohë pozitivisht. Sepse është e ndërtuar e tillë. Ndoshta, po të mos kish qenë kështu, nuk do t’i buronte së brendshmi kënga. Gjithsesi, ka qenë për të mirën e saj. Sepse, e besoj tashmë, ashtu siç është ndërtuar, ka qenë për të mirën e saj aq sa edhe të të gjithë të tjerëve që ka pasur rrotull. Fati sigurisht, ka pasur pjesën e vet. Por s’do të kish mjaftuar...

Vajzat që kujdesen për nënën
Vonesa ime e ekzagjeruar nuk e kishte zemëruar. Ose së paku, këtë përshtypje më krijoi. Ajo vetë kishte mbërritur e përpiktë dhe e kishte pirë kafen, e megjithatë më buzëqeshi, dhe e kaloi pothuaj tangjent bezdinë e pritjes ë gjatë. Pas justifikimeve të para, biseda vazhdoi me pyetje të përgjithshme. Ndërkaq kisha filluar ta vëzhgoja me shumë kujdes. Mu krijua përshtypja sikur kishte kaluar do kohë para pasqyrës duke u marrë me veten. Kombinimi në veshje ishte i menduar. Thonjtë e kuruar, të zgjatur me një llak të lehtë rozë, ia tregonin dorën shumë elegante. Qerpikët tejet të gjatë i kishte theksuar edhe më me rimel dhe me një vizë korrekte lapsi. Flokët, të krehur nga dora e një parkuiereje të zhdërvjellët. U binda aty për aty, se Myfarete Laze, i kushtonte kohë vetes, lukut jo vetëm korrekt por edhe që e bënte të binte në sy. A nuk është një kombinim kontrastues ai i të zezës me të verdhën? E pra, një jelek i verdhë mbi veshjen tërësisht të zezë, e bënte këngëtaren që të dallohej prej së largu. Me të vërtetë për mirë. Epo, thashë me vete, personazhet e skenave, janë gjithnjë ose pothuaj gjithnjë kështu. Ndoshta u është bërë zakon. Por, nga fundi i bisedës, mora vesh, se për rreth tre orë, nuk pata biseduar pikërisht me njeriun që rri gjithë kohën duke shfletuar katalogë të modës për të zgjedhur veshjen në përputhje me këshillat e stilistëve. Myfaretja, nuk qenkësh pikërisht gruaja që mban marrëdhënie të ngushta me parukieren, aq më pak me manikyristen. Gardërobën, pothuaj tërësisht, ia kanë krijuar të bijat, sipas shijeve të tyre. Janë si të thuash dy vajzat e saj, Resana dhe Erida, që ia kanë firmosur stilin e veshjes nënës së tyre, të cilat, siç më thotë këngëtarja, sa herë kapërcejnë derën e një butiku për veten e tyre, nuk harrojnë të piketojnë diçka edhe për të. Pastaj një telefonatë e ajo, e “bindur” niset drejt dyqanit, ku e presin vajzat. Mandej, me humorin tipik, që mesa duket Shkodra, edhe pse s’është origjina e saj, ia ka injektuar, më rrëfen se do të gjendet pothuaj gjithnjë njëra prej vajzave që vigjilon teksa ajo bëhet gati për të dalë. “Aaaaaa, kjo jo, nuk shkon”, dëgjon Myfaretja zërin e të bijës. Dhe s’i mbetet veç të rikthehet në dhomën e gjumit dhe të vishet nga fillimi, kësaj here sipas këshillave të mbikëqyrëses. Eshtë e bindur. E ndoshta kështu i kish ndodhur edhe atij mëngjesi, (Se kur vajzat s’janë, ka të ngjarë që nëna, të bëjë gabime kombinimi) disa ora para takimit tonë, dhe rezultati ishte optimal. Sa për thonjtë... Këngëtarja qesh: “Epo... vajzat, më morën një ditë dhe më çuan te manikyristja, dhe bëmë që të tria një kurim. Ishte dhurata e ditëlindjes sime, në 50-vjetor”... Sa mirë kur rriten vajzat. E cilës mama nuk i shijon vëmendja e tyre... Nuk ishte e para herë që hasesha me një histori të ngjashme, gjatë intervistave me personazhe të njohur...