Marie Logoreci - Zbardhen letrat e dashurisë

12/11/2003 00:06

Quhet “Ditari i rinisë”. Një bllok i vogël me fletë të zverdhura... mban brenda “kujtime t’amla”. Nuk ka qenë shkrimtare. Më mirë se të merrte lapsin e të shkruante, diti të aktronte. Ama momentet më të bukura të jetës i hodhi në letër. Herë-herë nuk kurseu as humorin shkodran që e karakterizonte. Është ditari që Marie Logoreci, aktorja e njohur e teatrit shqiptar shkroi gjatë rinisë. “Ka mjaft objekte që ruhen ende nga Maria. Kam shkrime të saj që ka shkruar për gjendjen emocionale dhe të rolit në atë moment që interpretonte, kam ditarin e rinisë së hershme të saj. Ka shkrime të bëra gjatë një periudhe kur ajo jepte përshtypjet e veta për Shkodrën, për Tiranën, kur ishte për herë të parë, më pas disa shënime kur ka takuar të shoqin, por ka dhe disa shënime që kanë të bëjnë me vizitat e saj jashtë shtetit. Të gjitha këto ruhen në shtëpinë tonë në Tiranë”, shprehet Pjerini, i biri, i cili disa vite më parë ka përmbledhur gjithë përshtypjet dhe mendimet e kolegëve të saj dhe i ka botuar në një vëllim të veçantë.
Korrespodenca e dashurisë, zë një pjesë të mirë të këtij ditari. Takimet e para me të shoqin, Kolën, djaloshin e sapo diplomuar aso kohe në Vjenë. Është korrespodencë pjesa më e madhe e së cilës i takon kohës kur të dy provuan të jetonin për disa kohë në largësi. Nuk janë letra shumë të gjata, ama të gjitha mbajnë pothuajse vitin 1937.  “Të tilla ka pafund, tregon i biri”. Në to përshkruhen kohët e para të martesës me djaloshin nga Tirana, por Maries i duhet të kthehet në Shkodër. Prindërit e saj janë vetëm e “i dhimbsen”. Nuk mungon dialekti shkodran, për të mos thënë tërësisht i tillë, ku aktorja e njohur, i përshkruan shkujdesshëm ditët se çfarë ka ndodhur, i tregon për mallin larg tij, e i lutet herë-herë të mos mërzitet. I nis me “i dashtuni burrë” dhe të gjitha i nënshkruan me Tushi, emri përkëdhelës, me të cilin Kola e thërriste shpesh. Pjerini këtë varg letrash e ruan dhe sot, në një kuti të madhe, ku sipër mbajnë emrin e së ëmës. Pak kohë më parë, në përvjetorin e 20 të vdekjes së saj, u shpreh se shumicën e tyre ka ndërmend ta botojë. Në 2010, për një tjetër përvjetor, 90 vitet e lindjes së artistes. “Aktualisht jam duke përgatitur një album fotografik për të. Me foto origjinale, të panjohura që nga fëmijëria e deri në fund të jetës. Është dhurata që kam ndërmend ti bëj në përvjetorin e saj. Albumi do të përmbajë edhe foto të panjohura të shoqëruara me shënimet e shtypit për kohën” shton ai. Ndërkohë nga arkivi i saj, kemi shkëputur një pjesë të korrespodencës mes tyre. “Janë letra të cilat i kanë shkëmbyer shpesh mes tyre”, shton ai. Ama arkivi i saj nuk mbetet vetëm kaq. Mes korrespodencave të shumta me Kolën, ka dhe letra dërguar shoqeve, letra adhuruesish, shënime për rolet skenike... Rolet për të nuk ishin vetëm ato që ndërtoheshin në skenë. Më shumë se në skenë, Marie Logoreci punonte gjatë në shtëpi. Kështu e kujton sërish, Pjerini. “Shpesh punonte në shtëpi, bënte prova për çdo shfaqje, madje kujtoj se shpesh për to bënte edhe biseda të gjata me kolegët gjatë kohës kur ishte në përgatitje e sipër të një roli. Momentet me Ndrek Lucën, me të cilën ka pasur pjesën më të madhe të roleve apo me Roza Anagnostin, mbeten po aq të paharruara”, tregon i biri, duke shtuar se organizimi që ajo i bënte kohës ka qenë një nga gjërat për të cilën e ka pasur zili. “Nuk arrija ta kuptoja se si me gjithë ngarkesën që kishte arrinte ta administronte çdo gjë? Maria ishte praktike dhe arrinte t’i bënte gjërat në kohën e duhur. Madje bënte edhe instalime elektrike, zbërthente prizën, janë disa gjëra që nuk i bën kushdo.  Bënte pazarin e shumë gjëra të tjera, gjente kohë të merrej me ujitjen e luleve, pasi shtëpia ishte e madhe me oborr, por çdo gjë ishte në rregull”, kujton ai. Ndërkaq ndër kujtimet më të bukura, ka ditarin plot letra, shumë objekte të saj, të cilat i nxjerr nga arkiva në çdo përkujtim të saj. Marie Logoreci lindi më 23 Shtator të vitit 1920 në Shkodër. Është një nga aktoret më të njohura të teatrit dhe filmit shqiptar. Paraqitja e saj në film ishte tek “Skënderbeu”, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër “Fëmijët e saj”, dhe mandej në filmin e parë shqiptar “Tana” dhe “Toka jonë” etj. Maria bëri regjinë e dramës Drita te M. Luca. Ajo luajti në filmin televiziv, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”. Ajo ngriti në art karaktere të ndryshme në nënave shqiptare duke u kthyer vetë në simbol të nënës shqiptare.


I dashtuni Kolë!

Jam tue marrë vesht se kenke mërzitë shum e besoj se edhe mue më ka marrë madhi, me të diftue të drejtën jam krejtë pshtjellueshem nder mendime; atje më duhet me ardhë kta më dhimen me i lanë sidomos Riza qi do të rrinë gjith ditën vetëm e tue më dishrue me më pa. Përkundrazi dhe un atje pa ty mërzitem (asht e dijtun së mund të rrijshë me mue) ...të kam shkrue edhe mramë nji leter të madhe 4 faqesh por tue mendue dishka për ty e shkjeva 400 copash; nuk e dij por asht tue m‘u ba keq fort me i lanë.
Stufen ndeze e mos mërdhit se ftofe a s‘e din si kujdesohem për ty? Rueju në gjithshka, duhan mos pi shum, më ndigjo se pendohe, mos u ban krye fort.
Po Nana a u forcue? M‘i ban të fala ashtu edhe Babës, i falna nderës për letër qi i dërgonte Tatës.
Ty të përqafon me mall
E jotja Tushi

Fotografijat a i pate marrë
Si t‘u duknë?
Më ka ble Tata pemë Kshnellash e e kam gaditë si për-vjetë.
Sot asht tue ra bor. Mos më harro e shkrueji shpesh
Tushit t‘and.

I dashtuni burr!

Kam qesh fort kur pava letrën të hollë e të gjate, një herë kujtova se më kishe shkrue vjersha, e thaçë sa gadi i paska pasë? Por besa më duket se kjo asht letër zholit se kshtu i përdorin ktu. Peliçet i kam çue dje te sarta me m‘i matë, ajo e çepuna m‘i rrite mirë por mungon nji çopë kshtu qi ajo më tha qi t’i ndali të dyja për pak se po baj tamah, por më difto çmimin...
...Tash jam mire së po na lanë gjindja me punue un kam qefë qi vinë edhe ato e din por po na sjellin, at dite qi je nis ti 5 veta kan ardh masdite, 4 ishin shoqe të mijat.
Së po mund të shruej ma teper se u ba vone por i u bajmë shum të fala të gjith ne familjes t‘Uej e te Marta.
Të dërgon shum të puthuna
Grueja e jote
Tushi
26. X. 1931


Kolë
Erdha dhe fola me doktorin dhe ma tha mos u ban marak se shpejt do të bahet mirë, diabeti nuk asht nalt e ke ma posht. 26 do vi me të pa, mos u mërzit ne jena mirë.
Të fala
Tushi

I dashtuni Kol
Kol mos harro, atij fmis qi më mban velin jepi një tufë lule të bardha me ken se do ti maj unë këtu në Shkodër më pas për ti marrë për tri ose katër orë veshkën e deri të vij atje smë duhen gja.
A po e bin fmin Cini me vete, më shkruaj?
Shkodër 23.X.37