Kerkimi shkencor, UNESCO ofron bursa per shqiptaret

20/12/2009 14:29

 Vitet e fundit kërkimi shkencor në vendin tonë është parë me sy “të mirë”. Projekte, financime por edhe shumë bursa studimi për të gjithë studentët e kualifikuar, të cilët njëkohësisht kanë përfunduar edhe master. Këtë herë Ministria e Arsimit ka njoftuar për nisjen e aplikimit për të fituar plot 20 bursa të financuara nga UNESCO dhe qeveria japoneze. Në kuadrin e fondit japonez për zhvillimin e burimeve njerëzore dhe të Programit të Bursave të bashkadministruara nga UNESCO, qeveria japoneze do të financojë 20 bursa studimi për vitin 2010-2011, në kujtim të ish-kryeministrit japonez, Keizo Obuchi. Programi i bursave të kërkimit UNESCO/KEIZO OBUCHI, i cili parashikon akordimin e bursave individuale për kërkime të thelluara pasuniversitare në fushën e kërkimit, shpall fushatën e aplikimeve në fushat: Mjedisi në shkencat e ujit, Dialogu ndërkulturor, Teknologjitë e informacionit dhe të komunikimit, Zgjidhja paqësore e konflikteve. Bursat jepen për personat e diplomuar në programin e studimit master, me synim zhvillimin e kërkimeve pasuniversitare ose të specializimeve në fushat e studimit që përputhen me objektivat strategjikë të Programit të Bursave të Kërkimit UNESCO/KEIZO OBUCHI. Për një informacion më të hollësishëm lidhur me bursat që ofrohen, mënyrën e plotësimit të formularit të aplikimit dhe të përgatitjes së dokumentacionit nga aplikanti sipas Ministrisë së Arsimit mund t‘i drejtoheni adresave të ueb-it: https://portal.unesco.org. Dokumentacioni, pasi të jetë plotësuar nga aplikantët, të dorëzohet në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH, deri në datën 28 dhjetor 2009.